Παρασκευή, 23 Σεπτεμβρίου 2016

Visar Zhiti: Spaç (the albanian gulag)



Visar Zhiti
Spaç

Male prapë, përpara, pas, anash, në anën tjetër, lart, Dhe pas maleve, male të tjera, shkulme të gurta pa fund. Kurrë nuk i kisha ndier kaq kundër njëriut, edhe pse nëpër librat tanë malet vërehen si aleate të historisë së kombit... ashtu si dimri rus për rusët.
Jam në burg a sipër tij, apo fare poshtë? Po kjo rrugë si përqeshje e pëerroit, ku vete? Kamionë, ja, ja... Me çfarë janë, me ushtarë? Jo, jo, me gurë. Me mineral... Në të kundërt me ikjen e tyre, nga andej duhet të na kishin sjellë, me atë autoburgun barbar. Na shkarkuan dhe po na shkyçnin prangat. Na kishin vënë në rresht pranë një gardhi të dendur telash me gjemba, që vazhdonte tej, kaptonte mbi njërin mal dhe bashkohej me rrethimin qe s’merrej vesh si ishte ashtu. Rrathë të shtrembër telash me gjemba. Dhe mure. Ngrehina të zhveshura. Lëvrinin ushtarakë, hynin, me mëngë të përveshura, të zbërthyer, vapë, prapa kthehu, armë lër! Edhe ata si prej muri... lëvizës. Dhe gumëzhima... si e tensionit të lartë, rrymë elektrike nëpër telat me gjemba. Vinte si nga fundet. Kishte qënë, por jo, ishte tjetër, jo ajo që më kishte mbetur nga gumëzhima e ashpër e autoburgut... sh-sh-sh-sh... një si zhurmë shiu, pa shiun. E gjallë. Ktheva kokën paksa. Desha të shikoja gumëzhimën andej.
Grupe të burgosurish, të vërtetë, të lashtë. Mëkatarët politikë, ashtu të veshur njëlloj si me lëkura të rrjepura mali, ngjyrë dheu, me vija si vraga të zeza -rrahje të shkopit të gomës- ku hijezohej përroi i skëterrtë, humbamen dhe rruga, ah rruga...! Gjithë ai pikëllim i shpërndarë njëlloj nëpër ato qenie prej resh, padurueshmërisht prej resh. Ranë nga honi i qiellit? Po unë, kur të më flakin mes tyre, a do t’i njoh ndonjëherë nga pas këta njerëz që veç treten, treten te njëri-tjetri në këtë oborr të pamëshirshëm, pa asnjë fije bari, as edhe një gur, por shkretim, një shkelje e njësuar këmbësh.
Po më dilte gumëzhima si një mister, si një frikë tjetër. A do ta gjej dot ndonjëherë se ç’ emra kanë këto kurrize me gunga, të shtrembra, të drejta, supe të rëna, qafa të zhvoshkura dhe kokë të qethura si të mbuluara me copa nga ky oborr, a do të aftësohem, vallë, të dalloj shpinën e bashkëvuajtësit nga ajo e hijes sime? Turma është e frikshme, është dhe s’ është më njëriu brenda saj.
O Zot! Të mërmëritësh dhe atje ku Zoti është i ndaluar. Tërë këta të burgosur, tmerrësisht të atyshëm, prej vitesh e vitesh, prej shekujsh, dëshpërimisht të vërtetë e të tharë, a qeshin donjeherë?

(nga Rrugët e ferrit)