Fatos Lubonja, “Prishja e Kishës në Dhërmi dhe nacional - katolikët”, Panorama 31/8/ 2015
Motivi se pse u prish në atë mënyrë demonstrative, të
dhunshme dhe të paligjshme Kisha e Shën Thanasit në Dhërmi mbetet ende i errët.
Nëse do t'i referohem
cicërimës së parë të Kryeministrit në Twiter motivi që paraqitej dukej estetik.
"Kisha si një garazh." Që ajo soleta e betonit ishte një gjë e
shëmtuar dhe që një kishë s'meriton një çati të atillë kjo s'ka diskutim. Por a
mjafton kaq për të shembur në atë mënyrë një objekt kulti duke iu kundërvënë
një komuniteti të tërë. Absolutisht jo. Aq më tepër kur ke parasysh se shëmtimi
që i krijonte ajo kishë pejsazhit të fshatit Dhërmi është shumë herë më i vogël
nga ai që është bërë me ndërtimet qoftë në fshat qoftë në bregun poshtë tij.
Për të mos folur për shëmtimin që i është bërë e po vazhdon t'i bëhet tërë Jugut
e tërë Shqipërisë çka kërkon një fshesë gjigante riestetizimi të atij pejsazhi.
Më pas Kryeministri na paraqiti
një foto të Kishës si ka qenë duke nënkuptuar se do të rindërtohet duke u
kthyer në atë pamje. Ide e mirë, por a nuk do të ishte më normale që këtë ide
Shteti ta bisedonte më parë me pronarin, që rezulton se është Kisha Ortodokse
dhe komunitetin i besimtarëve dhërmiotë, tu paraqiste një projekt dhe, pasi të
merrte edhe aprovimin e tyre, të ndërmerrte, duke respektuat tërë hapat
ligjorë, kthimin e kishës në pamjen dhe dinjitetin që ka pasur përpara se të
prishej më 1972, ndoshta edhe duke ndarë të hollat e rindërtimit me KOSH?
Kështu duhej të kishte ndodhur,
por fakti që u bë ashtu si u bë e ka një motiv, që mbetet i errët. Por ndërsa
motivet dhe "përfitimet" e prishësve mbeten ende të errëta dëmet që i
sollën Shqipërisë si shtet janë shumë më "të ndritshme".
Dëmi në aspektin e shtetit të së
drejtës
Ky veprim krijon imazhin e një
shteti që vepron si një grup banditësh që i përdorin instrumentet e dhunës, që
shteti duhet t'i përdorë vetëm për rastet ekstreme, në mënyrë abuzive dhe të
papërgjegjshme duke shkatërruar për qëllime të errëta apo deri thjesht për
kënaqësi sadiste pronën dhe jetën e qytetarëve të vet. Pas këtij akti dhune të
pajustifikuar, deri edhe ndaj një institucioni të tillë siç është Kisha, çdo
qytetar shqiptar ndjehet shumë më i pasigurt përpara arrogancës dhe
papërgjegjshmërisë së pushtetarëve të vet.
Duke pasur parasysh
selektivitetin, brutalitetin që po përdoret jo rrallë në akte të tilla dhe
faktin se më anë tjetër nuk po bëhet asgjë që t'u japë shqiptarëve shpresë për
një jetë më të mirë dhe më të sigurt po rritet perceptimi se qeveria po ia hap
me të shpejtë gropën vetes. Problemi është se hedhja e kësaj qeverie në gropë nga
veprime të dhunshme shkatërruese njerëzish të shtyrë deri në dëshpërim do të
ishte një katastrofë e re për të gjithë
shqiptarët.
Dëmi kulturor
Ky u shkaktua nga fakti se në
mbrojtje direkt apo indirekt të prishjes së Kishës, apo si nxitës të këtij akti,
u rreshtuan një numër politikanësh e intelektualësh - midis tyre edhe një
këshilltar i Kryeministrit - nga
deklaratat e të cilëve del qartë një mbetje e vendit në kulturën e ideologjisë
nacional - komuniste të Enver Hoxhës që, ndërkohë që me propagandë i ushqente
shqiptarët me mburrje kombëtare duke nacionalizuar historinë, duke bërë
shqiptare çdo gjë në këto treva që nga koha e gurit, e duke u premtuar një të
ardhme të ndritur (komuniste), realisht i mbante në varfëri, injorancë ekstreme
dhe të izoluar nga bota për t'i sunduar më lehtë. Ndryshmi i vetëm në mendjet e
mbyllura të këtyre nacionalistëve të rinj është një lloj zëvendësimi i
propagandës komuniste me katolicizmin medemek duke e njësuar të ardhmen
evropiane me identitetin katolik, sepse kështu na pranon më lehtë Evropa. Me
këtë diskurs këta mjerisht i bëjnë dëm
jo vetëm kulturës shqiptare e idesë së Evropës, por edhe katolicizmit që
vetëm me nacionalizmin nuk ka të bëjnë për dy arsye themelore: së pari pasi
besimtari i vërtetë e ka fenë mënyrë jetese dhe jo çështje mburrjeje identitare
dhe, së dyti, pasi katolicizmi është një fe e përbotshme besimtarët e së cilës
i përkasin një komuniteti që s'i dallon njerëzit nga identiteti kombëtar.
Duke instrumentalizuar
katolicizmin, shembjen e kishës ortodokse nacionalistët tanë e justifikuan dhe
nxitën me pretendimin se në këtë kishë paska ushtruar aktivitetin e tij në
shekullin e XVII Nilo Catalan një prift spanjoll që paska ardhur në këto treva
për t'i lidhur apo mbajtur shqiptarët etnikë nën Papatin nëpërmjet fesë uniate
apo katolike të ritit bizantin, apo greko shqiptar, siç quhet duke hapur madje
për këtë deri shkolla shqipe. Duke i dhënë aktivitetit fetar të Catalanit
konotacion nacionalist, e quajtën madje
edhe si një protorilindas shqiptar - njëlloj si në historiografisë e Enver Hoxhës që i ka
paraqitur Buzukun, Budin, Bogdanin sikur e kanë shkruar shqipen për qëllime
nacionaliste. E pra sot, çerek shekulli pas rënies së nacional - komunizmit çdo
nxënës i shkollës së mesme do të duhej të dinte, edhe në respekt të njohjes së
historisë së fesë katolike, se shkrimi i
shqipes në atë kohë nga këta autorë nuk ka të bëjë fare me nacionalizmin dhe
përpjekjet e Rilindësve tanë të shekullit XIX për të krijuar një identitet
shqiptar, por me Kundër Reformën që ndërmori Vatikani në shekullin XVI si
reagim ndaj Reformës së Luterit që përktheu Biblën në gjermanisht, pra për ta
prurë fenë sa më afër besimtarëve që flisnin gjuhën shqipe. E njëjta gjë mund
të thuhet edhe për aktivitetin e Catalanit.
Por dëmi kulturor i
instrumentalizimeve të tilla të historisë nuk mbetet vetëm në kuadrin e njohjes
mbrapsht të historisë. Problemi tjetër i madh është se kjo padituri e kthyer në
veprim arrin të nxisë apo të justifikojë aksione të tilla me pasoja të
mbrapshta përsa i përket ndërtimit të atyre vlerave të humanizmit e pluralizmit
e bashkëjetesës në harmoni e paqe me të ndryshmit që kërkohen të ndërtohen në
këtë vend. Dashur pa dashur këta diskurse krijojnë identitete superiore dhe
inferiore, miqësore dhe armiqësore të komuniteteve të ndryshme fetare që
banojnë në Shqipëri dhe përçarje midis tyre. Shembja në atë mënyrë e kishës e
justifikuar me këtë diskurs nuk mund të mos interpretohet si një sulm ndaj
identitetit ortodoks të banorëve të sotëm të asaj zone, qofshin ata shqiptarë
apo grekë etnikë, dhe rindërtimi i saj pas kësaj shembjeje vështirë të mos
marrë simbolikën e ngritjes atje me dhunë të një simboli që i kundërvihet
ndjenjave të këtij komuniteti.
Dy fjalë për identitetin
Sipas një koncepti bashkëkohor ai
që mund të quhet identitet i një populli, nuk mund të jetë një identitet i
vetëm dhe aq më pak i ngurtë, por kemi të bëjmë me shumë identitete në proces
ku këta identitete të shumta ("të lëngshëm" i quan Zigmund Bauman)
bashkëjetojnë e bashkëveprojnë me njëri tjetrin apo edhe pasojnë njëri tjetrin
përsa i përket rëndësisë dhe dominancës. Edhe kur flasim për shqiptarët dhe
veçanërisht për raportin e feve të tyre me të ndjerit shqiptar duhet të flitet
për shumë identitete ku hyjnë edhe identitetet fetare që ata kanë përqafuar në
shekuj si të krishterë ortodoksë dhe katolikë, myslimanë sunitë dhe bektashi
etj. e, po ashtu, duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me një proces historik
në të cilin kanë ndodhur ndryshime e formime
e zhdukje e sinkretizma identitetesh në rrjedhë të shekujve ky spikasin
gjatë shekullit XX. edhe shqiptaria e shqiptaristëve që, nën thirrjet e Vaso
Pashës, vunë atdheun mbi fenë, edhe identiteti i komunistëve që e mohuan fenë
gjithë duke ekzaltuar shqiptarinë, por edhe identitetet paskomuniste të atyre
që iu kthehen feve të paraardhësve të tyre, që përqafuan fe të tjera apo që
ruajtën ateizmin e tyre. Problemi është se i gjithë ky proces që në fakt
gjeneron nga nevoja të së sotmes shpesh ngatërrohet me historinë e së shkuarës
që manipulohet pra për qëllime të së tashmes. Veçanërisht kjo ndodh në mendjet
e njerëzve të paditur apo të cilëve nuk ua kanë mësuar kurrë historinë siç ka
qenë dhe as konceptin e identitetit si një proces historik, përkundrazi që dje
u kanë thënë se ju keni qenë shqiptarë kështu siç jeni sot që në kohën e gurit,
kurse sot u thuhet se ju përpara se të bëheshit myslimanë keni qenë të
krishterë, madje katolikë dhe kjo është feja juaj e vërtetë dhe identiteti juaj
i vërtetë.
Në këtë kontekst diskursi
nacional - katolik që justifikoi shembjen e kishës synon të na thotë se
shqiptarët në krye të herës kanë qenë katolikë (prandaj dhe Skënderbeun e kanë
bërë nga ortodoks në katolik) dhe se bërja evropian nuk është gjë tjetër veçse
kthim në fenë e të parëve. Nuk mund të mos rikujtoj me këtë rast edhe faktin se
me rastin e vizitës së Papës Kryeministri ynë pagëzoi të birin si katolik dhe,
një dy, sa herë takon politikanë apo gazetarë perëndimorë u thotë se ka pasur
një gjyshe katolike.
Mirëpo një diskurs i tillë nuk
mund të mos përjetohet si një akt
diskriminues si ndaj komunitetit ortodoks, qofshin këta shqiptarë apo të etnisë
greke etj., edhe ndaj komuniteteve të tjera fetare. E them këtë pasi tentativa
për t'i dhënë apo theksuar identitetin
uniat kësaj kishe e për ta justifikuar
shkatërrimin e saj me kthimin në këtë identitet në thelb është e njëjta histori
me tentativën për t'i kthyer në kishë rrënojat e kishëxhamisë në kalanë e
Shkodrës që bëri të revoltohet krejt komuniteti mysliman. Në fakt, nëse Kisha e
Shën Thanasit paska qenë një farë kohe
në shekullin XVII katolike e ritit bizantin nuk mund të mohohet se ajo ka qenë edhe bizantine, edhe ortodokse në kohën e Perandorisë Osmane edhe
e varur nga kisha autoqefale ortodokse shqiptare deri kur është prishur nga
komunistët. Dhe vlerën historike duhet ta ketë e gjithë kjo histori e jo të
instrumentalizohet historia e saj duke iu glorifikuar një moment katolik e duke
iu harruar krejt historia tjetër siç bënë nacional - katolikët tanë.
Dëmi në aspektin e të drejtave të
minoriteteve
Nuk ka pikë dyshimi se ky akt
ndaj Kishës, për të cilin ka zëra që
thonë se është thjesht një akt i lidhur me babëzinë e panginjshme për prona të
deputetit të zonës Koço Kokëdhima, vishet lehtësisht me një petk nacionalist në
Dhërmi - duke ilustruar edhe një herë atë shprehjen "nacionalizmi është
streha e fundit e horrave", - pasi atje jeton një komunitet i cili në
pjesën më të madhe e konsideron veten minoritet grek. Me këtë akt, direkt apo
indirekt, këtij komuniteti i thuhet se ne shqiptarët këtë kishë, që ju e quani
tuajën, dmth. greke, e shkatërrojmë
sepse në fakt kjo është shqiptare pasi në shekullin e XVII atje është folur
shqip dhe madje madje ju në fakt nuk jeni tjetër veçse shqiptarë të greqizuar.
Mirëpo ka një princip sipas të cilit identitetin etnik nuk ta përcakton ajo se
çfarë ke qenë ti në shekullin XVII, por ajo se çfarë ndjehesh dhe deklarohesh
ti sot. Kjo e bën edhe më të rëndë incidentin pasi ky komunitet, qoftë edhe
vetëm një pjesë e banorëve të Himarës, ka gjithë të drejtat ta quajë veten të
dhunuar dhe diskriminuar nga qeveria shqiptare në ndjenjat e veta identitare e
në të drejtat e veta fetare dhe gjuhësore. Është pikërisht kjo gjë që ka
shkaktuar ndërhyrjen e shtetit grek duke krijuar një incident diplomatik goxha
serioz dhe krejtësisht të panevojshëm.
Në kontekstin e perspektivave
evropiane që kërkojmë të ndërtojmë për të ardhmen e rajonit minoritetet duhet
të jenë ura lidhëse midis vendeve dhe jo faktorë ndarës e armiqësimi. Prandaj
të kryesh me kaq lehtësi një akt që armiqëson komunitetin etnik grek me atë
shqiptar në ato zona më duket një akt i pa përgjegjshëm edhe sikur ky të kryhet
nga individë, e jo më kur kryhet nga shteti. Është edhe më e papërgjegjshme të
ngulmosh në mbrojtjen e këtij akti duke instrumentalizuar pastaj ndjenja urrejtjeje
nacionaliste antigreke ndër të gjithë shqiptarët apo duke e justifikuar këtë
akt me racizmin ndaj shqiptarëve që kanë manifestuar grekët - siç bëjnë disa -
apo me akte të papërgjegjshme shtetasish shqiptarë të etnisë greke që kanë
ndodhur apo ndodhin në ato zona.
Si përfundim
Ekzistenca e larmisë së objekteve
të kultit në Shqipëri si kisha ortodokse dhe katolike, xhami teqe apo e
objekteve si kishëxhamija në kalanë e Shkodrës janë simbol i historisë së të
gjithë shtetasve shqiptarë në këto treva, të çdo etnie qofshin ata, janë një
pasuri kulturore e të gjithëve që edhe
vetëm me ekzistencën e tyre na mësojnë bashkëjetesën midis të ndrushmëve.
Pikërisht për këtë ata nuk duhet kurrsesi të përdoren për interesa politike apo
ekonomike, të bëhen instrument i një komunitet që pandeh se është më i fuqishëm
për të shembur simbolet e një komuniteti tjerëve. Enver Hoxha këtë ka bërë
gjoja në emër të shqiptarisë me pasojat
që dihen. Diskurset që justifikuan dhe nxitën prishjen e kishës janë marrë hua nga mendësia e asaj
kohe. Edhe ideja se Evropa na pranon më lehtësisht nëse bëhemi të krishterë apo
katolikë është sa e rreme aq edhe kundër produktive. Në fakt vlerat evropiane
të lirisë demokracisë dhe shtetit të së drejtës që na mungojnë kanë të bëjnë
pikërisht me mbetjen në trashëgiminë e shtetit autoritar e arrogant që u
manifestua edhe me aktin e prishjes së asaj kishe.
Prandaj gjykoj se shteti shqiptar
duhet t'i kërkojë ndjesë në emër të të gjithë shtetasve shqiptarë Kishës
Ortodokse dhe komunitetit dhërmiot për atë aksion të shëmtuar që kreu dhe të
ndërmarrë hapa të shpejta për rindërtimin e Kishës së Shën Thanasit duke i
kthyer asaj bukurinë dhe historinë e vërtetë shumëshekullore.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου