Fatos Lubonja: Rezistenca e kujtesës
Duke lexuar mbi regjimet autoritarë dhe ata totalitarë më ka
mbetur në mendje ideja e një sociopsikologu të njohur, sipas të cilit diferenca
midis tyre qëndron në atë se regjimi autoritar nuk do t’ia dijë edhe aq nëse
njerëzit besojnë vërtet në ato që thotë pushteti, mjafton që këta t’i binden,
kurse regjimi totalitar kërkon që njerëzit jo vetëm t’i binden, por edhe t’i
besojnë ato që thotë ai; pra kërkon edhe nënshtrimin në mendje dhe në shpirt të
njeriut. Kush nuk e bën këtë konsiderohet armik po aq sa ai që nuk bindet.
Nëse do t’i referohemi historisë sonë si ilustrim mund të sillja
dallimin midis kohës së Mbretit Zog dhe kohës së komunizmit. Nëse mbreti i
kërkonte asokohe shkrimtarit Petro Marko thjesht një deklaratë se nuk ishte
komunist që të mund të botonte bashkë me Branko Merxhanin revistën “Përpjekja
Shqiptare” – e ky nuk e bëri, pa mundur të jetë bashkëbotues, por pa pësuar
gjë, – në kohën e Enver Hoxhës një deklaratë e tillë as imagjinohej se mund të
kërkohej pasi presupozohej automatikisht se shkrimtari kishte përqafuar
ideologjinë e pushtetit dhe konsiderohej armik dhe dënohej minimumi me burg,
nëse refuzonte të deklarohej i tillë.
Më kaloi nëpër mend kjo ide duke lexuar librin e Fabian Katit
“Formësimi i kujtesës kolektive” mbi ngjarjet tragjike në Dukagjin, Malësinë e
Madhe dhe Postribë në vitet 1945 – 1946. Po pse ky asosacion idesh? Sepse një
nga gjërat që ma nxit pareshtur kuriozitetin teksa rrekem të kuptoj njeriun e
rritur në komunizëm, (vetveten më së pari), është zhbirilimi i atij procesi që
synon ta manipulojë njeriun deri në thellat e shpirtit, aq sa të komandojë jo
vetëm veprimet, por edhe ndjenjat e mendimet e tij. “Nuk ka asgjë më të
tmerrshme dhe më të mistershme sesa mnemoteknika” – thotë Niçja për teknikën e
incizimit, sipas tij “me flakë”, në kujtesën e njeriut të narrativës që dikton
pushteti. Çfarë teknikash të kombinuara përdoren gjatë këtij procesi? Çfarë
ndodh tek njeriu? A mund t’i rezistohet?
Si mund t’i rezistohet? Sa mund t’i rezistohet?
[…]
Narrativa e regjimit totalitar komunist
fillon me historinë e Luftës Nacionalçlirimtare. Sipas saj heronjtë komunistë
çliruan vendin nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, por ky
ishte vetëm fillimi i një misioni shumë më të madh. Metaforikisht ata kishin
për detyrë të udhëhiqnin karvanin e popullit shqiptar, bashkë me malet e tyre,
drejt tokës së premtuar të komunizmit, që do të thoshte të transformonin tokën
ku jetonin shqiptarët, sipas tyre nga një ferr në një parajsë. Ishte rruga që
ata e kishin gjetur dhe që ata e dinin se nëpër cilat shtigje do të kalonte. Si
një pjesë e kësaj lufte janë paraqitur edhe ngjarjet e përmendura në këtë
libër, si një eliminim i mbeturinave të armiqve që kërkonin të pengonin ecjen
drejt kësaj rruge. Në narrativën komuniste heronjtë nuk kishin fytyrë
njerëzore. Ata të së mirës merrnin shpesh pamjen e dëshmorëve të kësaj lufte
dhe paraqiteshin me tipare mbinjerëzore që duheshin adhuruar. Kurse heronjtë e
së keqes futeshin të gjithë në disa fjalë të tmerrshme, të zeza, ndër të cilat
më të përdorurat kanë qenë “bashkëpunëtor me armikun”, “reaksionar”, “armik i
klasës”. Ata nuk kishin as jetë të veçantë përveç armiqësisë, as etër, as nëna,
as vëllezër e motra, as fëmijë. Në botën manikeiste të narrativës ata ishin
përfaqësuesit e së keqes dhe mendimi për ta duhet të shoqërohej me ndjenja
negative, si frika, urrejtja, përçmimi. Sikur të ndodhte që ata të ngriheshin
nga varri ata duheshin rivrarë dhe rivarrosur përsëri.
“Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj/
Nëse s’do që nesër skuadër e pushkatimit/
Të të vejë në mur/ tek Bulevardi i
Madh”, – shkruanin poetët e narrativës asokohe.
Sepse narrativa nuk ndërtohej vetëm me
rrëfenjat entuziazmuese e mbresëlënëse të bëmave të heronjve. Ajo kishte nevojë
edhe për “flakë”, siç thotë Niçja. Pse flakë? Sepse, që të incizohej
pazhdukshmërisht, narrativa kishte nevojë edhe të shkatërronte përfundimisht. E
për këtë ajo kishte nevojë edhe për një instrument tjetër të tmerrshëm: frikën
se, nëse dilje jashtë saj e besoje apo tregoje ndonjë narrativë tjetër, do të
ndëshkoheshe si armik dhe të priste burgu, ose edhe vdekja. Frika e terrori
ishin flaka që digjte çdo qelizë nga ato që mund të kultivonin në mendjen dhe
shpirtin e njeriut mundësinë e një besimi tjetër, qelizat e dyshimit apo të
mendimit kritik e të pavarur.
***
Duke lexuar këtë libër nuk mund të mos
shtrosh pyetjen: Sa dhe si i kanë rezistuar këtij procesi kujtimet “e ndaluara”
me të cilat takohemi këtu? Sepse në ato kujtime gjejmë pikërisht narrativën e
atyre që kanë qenë në krahun e humbësve, jo të fitimtarëve. Por personat që
tregojnë nuk janë ata vetë. Personazhet që tregojnë kanë qenë fëmijë në kohën e
ngjarjeve. Janë kryesisht bij ose familjarë të protagonistëve të atyre
ngjarjeve, personazhet e shumë prej të cilave kanë përfunduar të pushkatuar
nëpër brigje lumenjsh, me gjyq dhe pa gjyq e nuk u dihen as varret, ose kanë
vdekur gjatë dekadave në vazhdim, një pjesë pa dalë dot nga burgjet. Këta
fëmijë e kanë kaluar jetën e tyre nën flakën e narrativës komuniste, terrorin
verbal dhe fizik të saj për dekada deri në vitin 1991. Duke pasur parasysh këtë
nuk mund të mos imagjinosh se ruajtja e këtyre kujtimeve është një rezistencë e
kujtesës. Edhe rrugët e kësaj rezistence duhen studiuar. Ndërkohë që narrativa
komuniste prodhonte me zhurmë çdo vit tonelata me letërsi të shkruar, filma,
muzikë, emisione radiofonike, festa përkujtimore, përvjetorë çlirimi,
përvjetorë të rënësh, konferenca studimore, narrativa e të humburve mezi
mbijetonte nëpër dhoma të varfra familjesh të persekutuara, shpesh të
internuara, apo nëpër qeli burgjesh. Ajo qarkullonte fshehurazi dhe në heshtje
nën kërcënimin e nenit të agjitacionit e të propagandës që parashikonte deri në
10 vjet me burg për ata që tregonin rrëfenja apo copëza rrëfenjash si këto që
lexojmë në këtë libër.
***
Duke lexuar dhe dëgjuar dëshmitë e
mbledhura nga Fabian Kati të duket sikur autori ka shkuar në Veri dhe ka mundur
të gjejë vetëm ca fragmente mbetjesh arkeologjike të një ngrehine së cilës i
janë shembur e rrënuar shumë pjesë. Na shfaqen ca copëra muresh këtej e ca gurë
e tulla andej, por shumica ka humbur, ose e ka mbuluar bari e dheu. Mosha e
rrëfimtarëve që ai ka gjetur është ajo e pleqërisë. Ndonjëri është edhe mbi të
90-at. Shumë nga qelizat e trurit të tyre, ku ruhet kujtesa, me moshën ndoshta
edhe kanë vdekur dhe çdo qelizë e vdekur mund ta imagjinosh si një tullë të
kësaj ndërtese që është rrëzuar dhe thërrmuar. Vdekja e çdonjërës prej tyre ka qenë
si shembja e një ndërtese të tërë. Synimi i regjimit ky ka qenë, në fakt: që
kjo kujtesë të zhdukej përfundimisht. Dhe, sikur të kishte zgjatur edhe disa
dekada, ndoshta kjo do të ndodhte. Por edhe kështu duket sikur jemi duke ecur
nëpër rrënoja që, së bashku me legjendën që bartin, të ngjallin edhe një
ndjenjë të thellë padrejtësie dhe trishtimi. Trishtimin e së pariparueshmes.
Edhe me të padurueshme e bëjnë këtë
ndjenjë trishtimi mendimi se janë dashur të kalojnë njëzet e kusur vjet nga
rënia e komunizmit që dikush të kujtohej të mblidhte kujtimet orale të këtyre
njerëzve. Nuk dua të zgjatem këtu me një temë që e kam trajtuar tjetërkund:
faktorët se pse nuk ka ndodhur kjo ndërkohë që këta njëzet vjet duhet të ishin
vitet e rishkrimit të historiografisë dhe memuaristikës së shkruar nga
komunizmi. Kujtoj me këtë rast se jemi ndoshta i vetmi vend në botën
ish-komuniste që nuk ka ende një libër të vetëm të historianëve shqiptarë që të
trajtojë historinë e komunizmit. Shkurt do të thosha se një nga faktorët kryesorë
është fakti se elitat që morën, ose më saktë trashëguan pushtetin pas rënies së
komunizmit, duke përfshirë edhe historianët, jo vetëm janë rritur me narrativën
komuniste, por janë më të shumtët edhe krijuesit e saj. Dhe duke qenë se
legjitimimi i pushteti u ka ardhur nga emri që kanë bërë nëpërmjet punës për
atë narrativë, nuk u ka interesuar ta hedhin atë poshtë, por vetëm ta
korrektojnë aty-këtu, duke e trajtuar terrorin e ushtruar nga ai regjim thjesht
si një apendiks të asaj historie dhe jo si shtyllë qendrore të atij pushteti.
Duke lexuar këtë libër për shembull del se Veriu më shumë sesa u çlirua nga
pushtuesi, – siç trumbetonte narrativa e fitimtarit, u pushtua nga komunistët
me një operacion dhune dhe gjaku, shumë gjaku, por që ka hasur edhe rezistencë.
Për këtë të vërtetë nuk duhej folur gjatë komunizmit, aq më pak për rezistencën
e njerëzve në Veri, madje edhe rezistenca e kujtimit të rezistencës së tyre
duhej zhdukur. Kjo përmbysje e historisë dhe identifikimi i përgjegjësve të
atyre krimeve dhe pastaj i shkruesve të narrativës së gënjeshtërt nuk i ka
interesuar kësaj elite. Po ashtu, pjesa e kësaj elite që rrëmbeu flamurin e
antikomunizmit, duke qenë e edukuar me metodat e atij pushteti, e manipuloi për
interesa politike me të njëjtat metoda të narrativës komuniste persekutimin e
popullit shqiptar duke tjetërsuar, kësisoj, thelbin e tij. Hallet e pafundme që
u krijuan nga politikat e mbrapshta gjatë këtyre njëzet vjetëve, si dhe triumfi
i kulturës konsumiste që e ka reduktuar njeriun thjesht në shijues të së sotmes
pa një kujtesë të së shkuarës dhe pa një projekt të së ardhmes, kanë plotësuar
procesin e harrimit të këtyre ngjarjeve kaq tragjike.
Megjithatë duke lexuar librin“Formësimi
i kujtesës kolektive” të vjen ndërmend edhe një fjalë e urtë që thotë: “E
vërteta mund të hollohet, por nuk këputet.” Këto dëshmi hedhin dritë mbi një të
vërtetë që është harruar deri atje ku s’mban më, por që nuk ka humbur
krejtësisht. Sigurisht, nëpërmjet njohjes së këtyre historive ne nuk e zhbëjmë
dot padrejtësinë ndaj viktimave. Por njohja e këtyre të vërtetave është e
rëndësishme për të vendosur drejtësi në kujtesën tonë të deformuar nga
narrativa komuniste, sepse janë të shumtë ata që nuk u japin të drejtë atyre
viktimave edhe sot në kujtesën e tyre e që këtë padrejtësi ua transmetojnë edhe
trashëgimtarëve të tyre. E kjo është e rëndësishme, shumë e rëndësishme si për
të vdekurit, të cilëve u japim drejtësinë e mohuar për gjysmë shekulli, edhe
për të gjallët.
Po ende, njohja e këtyre të vërtetave
është, ndoshta, edhe më e rëndësishme për ata, veçanërisht të rinj, që janë
indiferentë ndaj tyre, madje që nuk kanë asnjë kujtesë. Sepse është e njohur
thënia se “një histori që harrohet është e destinuar të përsëritet”. Duke
lexuar librin ne kemi një ndjenjë të thellë empatie për ata njerëz që janë
marrë dhe pushkatuar pa gjyq, për të terrorizuar të tjerët. Na vjen vetvetiu
thirrja e brendshme se kjo nuk duhej të ndodhte. Se kjo është një padrejtësi.
Është një imunitet i rëndësishëm ky që fitojmë ndaj të keqes. Çdo padrejtësi që
zbulojmë dhe denoncojmë na mbron edhe ne vetë nga padrejtësitë që mund të bëjmë
në jetë, sepse vazhdojmë të jetojmë në një botë ku shohim përditë se sa lehtë
njeriu i paditur mund të kthehet në xhelat ndaj tjetrit.
*Parathënia e librit të Fabian Katit
“Formësimi i kujtesës kolektive” mbi ngjarjet tragjike në Dukagjin, Malësinë e
Madhe dhe Postribë në vitet 1945 – 1946. (Gazeta Mapo, 21 shkurt
2015)
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου