Τρίτη, 3 Φεβρουαρίου 2015

Visar Zhiti: Po tentojnë ta zhbëjnë letërsinë e burgjeve


Oliverta Lila: “Visar Zhiti: Po tentojnë ta zhbëjnë letërsinë e burgjeve”, Shqip 17/11/2010.


Shkrimtari ka promovuar në Panairin e Librit “Panteoni i nëndheshëm ose letërsi e ndaluar”, botuar nga “Omsca-1”. Zhiti sjell një dëshmi të ekzistencës së letërsisë së burgjeve, por edhe një akuzë për nënvlerësim të saj
“Letërsia e burgut është nënvlerësuar ose është dashur të zhbëhet”. Kështu thotë Visar Zhiti kur tregon pse vendosi të shkruajë librin e tij “Panteoni i nëndheshëm ose letërsi e ndaluar”, botuar nga “Omsca-1”.

Shkrimtari thotë se është një dëshmi që letërsia e burgjeve ka ekzistuar, ndonëse nga ana tjetër është edhe një akuzë për indiferentizëm ndaj atyre që shkruajnë në kushte të errëta. Botuesi i “Omsca -1”, Luan Pengli, thotë se do ta ribotojnë librin, sepse tirazhi i parë është mbaruar gjatë panairit, ndërkohë që këtë rast Zhiti do ta shfrytëzojë për të bërë një epilog mbyllës, ku të reflektohet reagimi pas botimit të librit.
“Panteoni i nëndheshëm ose letërsi e ndaluar” vjen si dëshmi, por njëkohësisht edhe si akuzë. Ishte koha për të thënë të vërtetat?

Shpeshherë, në përditshmërinë tonë duket sikur çdo gjë është në vendin e vet. Në fakt jo. Unë e nisa këtë libër, edhe sepse pata ndjesinë që kjo letërsi e burgut duhet mbrojtur nga nëpërkëmbjet dhe nënvlerësimet. Shpesh është dëshiruar të zhbëhet. Ky libër është dëshmi e ekzistencës së saj. Në realitet ka një letërsi që vjen nga burgjet dhe nga dënimet. Mendova se doja të sensibilizoja sa të ishte e mundur shoqërinë tonë, që kemi një letërsi të cilën duhet ta njohim e që na bën nder.
Është një dënim i dytë i kësaj letërsie?

Atëherë kur shkruhej ishte e fshehtë dhe e ndaluar. Ekzistenca e saj thuajse nuk dihej ose njihej në një rreth shumë të ngushtë miqsh. Gjatë këtyre 20 viteve, kjo letërsi pati fatin të dilte, të bëhej e njohur, por fatkeqësisht edhe u godit. U godit në dy kahe: duke e glorifikuar, duke e bërë të rëndësishme e të madhe, ose duke e denigruar, duke mos e quajtur.

Që të dyja janë të dëmshme. Në mënyrë teorike kjo është një letërsi e shkëputur nga trungu i kulturës së përgjithshme. Nuk vjen të rrëzojë e të prishë atë që është bërë, thjesht të sjellë vetveten, dëshminë se ka qenë. Nuk është as letërsi e shkrimtarëve profesionistë, por e shkrimtarëve që u dënuan të mos bëhen shkrimtarë dhe bënë aktin e madh që shkruan. Së pari, ata kanë meritën e martirizimit, sepse shkruan në kushtet më të errëta, në kushtet e ndaluara. Kjo tregon se njeriu është i paasgjësueshëm në dëshirën e vet, prandaj ne duhet ta çmojmë.
A duhet parë si vlerë letrare meqenëse shkruhej jashtë ndikimit të metodës së realizmit socialist?

Natyrisht, diçka është bërë në këtë drejtim. Ky libër i imi është në vazhdim të kësaj përpjekje. Ne patëm mbi krye metodën e realizmit socialist, një metodë letrare e ushqyer që i shërbeu aq sa mundi sistemit socialist. Me ndryshimin e regjimit, ajo letërsi e metodës së realizmit socialist e mbaroi funksionin e saj dhe shkoi drejt zhbërjes.

Por krahas saj kishte dhe letërsi të realizmit të dënuar. Ky term është kristalizuar tek unë për atë letërsi që u pengua të dilte, që u dënua në autorë dhe libra. Franc Kafka, shkrimtari më i zymtë i shekullit të tij, që bëri të dukej sikur nuk qe i interesuar për realitetin e përditshëm, thotë: “Letërsitë e mëdha gjithnjë kanë brenda të vërtetën dhe nderin”. Qëllimi i jetës është t’i zbulojmë ato e t’i njohim.
Vetëm pak ditë më parë, ju ishit të ftuar në një aktivitet që PEN-i italian ua ka kushtuar shkrimtarëve të burgosur. Cila ishte përvoja botërore në trajtimin e tyre?

Ishte një takim ndërkombëtar që PEN Club-i italian organizoi me shkrimtarë nga e gjithë bota. U diskutua për fjalën e lirë: si ka qenë, si është dhe cili duhet të jetë angazhimi i PEN Club-it që është krijuar me qëllimin e mbrojtjes së shkrimtarëve në kohë shtypjeje. Pjesë e kësaj veprimtarie ishte edhe botimi i një libri me disa autorë, që kanë pasur përvojën e burgut apo që flisnin për burgun. Antologjia, me parathënie të Umberto Eco-s, pati shumë jehonë në shtypin italian.

Pjesë e kësaj antologjie ishte edhe parathënia që Ismail Kadare ka shkruar për dy poetët e ekzekutuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmin, si dhe mbresat e impresionet nga burgu im dhe i tim eti. Më bëri përshtypje që vuajtja e tjetrit nuk shihej si e huaj, por si pjesë e vuajtjes intelektuale që duhet t’i përgjigjemi. Atje goditej indiferentizmi, ndërsa te ne të qenët indiferent ndaj dhimbjes së tjetrit është shumë e njohur. Një kritik i njohur italian theksoi në këtë takim se duhet të kujtojmë që shkrimtarët nuk i kanë burgosur policët, por edhe kolegët e tyre.

 Ky apel për të qenë të përgjegjshëm, që të dimë të kujtojmë, të shohim dhe të dënojmë moralisht, m’u duk një problematikë me vlerë dhe me interes për shoqërinë tonë. Duhet të dimë të shohim mëkatin tonë, ndryshe nuk mund të ecim përpara. Ne kemi shkrimtarë të burgosur që nuk kanë shtëpi, që nuk kanë copën e bukës. Shoqëria duhet të jetë e përgjegjshme për ta. Janë shkrimtarë që kanë derdhur djersë në punë të detyruara dhe dëmshpërblimi nuk duhet të vonojë. Po vjen vdekja më shumë se dëmshpërblimi. Ne të gjithë shkojmë sot në aeroportin “Nënë Tereza” për të udhëtuar drejt botës, por askush nuk kujton se është bërë me të burgosurit politikë.

 Aty ka punuar Jusuf Vrioni dhe nuk ka qoftë një pllakë memoriale ku të thotë se ky aeroport nisi me të burgosurit tanë politik dhe ëndrra e tyre për një Shqipëri pa kufij u realizua. Shqiptarët ia arritën të dalin pa viza në Europë dhe kjo është një festë e madhe, por duhet të dimë se si erdhi. Përpjekja nuk filloi në këto 20 vjetët e fundit, është punë e errët e atyre njerëzve që vdiqën nën tokë, e atyre që krijuan nën tokë.
Botuesi i “OMSCA-1”, Luan Pengli, thotë se libri do të ribotohet pasi tirazhi i parë ka mbaruar. Do të ketë ndonjë ndërhyrje tjetër?
Botuesi po mendon ribotimin dhe unë kam menduar një epilog të shkurtër, ku të përfshi mesazhet që kam marrë pas publikimit, problematika që u krijua, më kanë dhënë dëshirën të shprehem më qartë për atë që e quajta realizëm të dënuar.
 

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου