Παρασκευή, 21 Νοεμβρίου 2014

Lubonja Fatos, “Çmimi Asturias dhe Kadare"



Lubonja Fatos, “Çmimi Asturias dhe Kadare”, Korrieri 7/12/2009.


Të nesërmen e intervistës televizive që Fevziu i bëri Ismail Kadaresë për emisionin Opinion, pas ceremonisë së dhënies së çmimit Asturias, gazetat u hapën me tre tituj që varionin nga njëra tek tjetra: "Shteti komunist më ka 2 milion dollarë borxh", "Nuk e kam shoqëruar Ramis Alinë në Rinas", "Qosja është një mësues katundi"
Këta tituj, shoqëruar me foton e madhe në faqe të parë të shkrimtarit, më krijuarn idenë se, pas çmimit Asturias, Kadaresë po i jepet një status nga mediat tona i tillë që, paradoksalisht, t'i lejojë vetes të thotë gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha duke u bërë gjithnjë e më e vogël mundësia e përgënjeshtrimit të tyre. Personalisht mu ringjall një si jehonë e kohës kur Enver Hoxha ishte i gjithpushteshëm dhe kishte merakun të shkruante historinë ashtu siç donte, dhe, për këtë, i shërbente një ushtri e tërë gazetarësh e shkruesish që nuk kishin shqetësim tjetër veç si t'i shërbenin më mirë gënjeshtrave të diktatorit.
Me këtë ndjesi nuk u ula as ta lexoj intervistën e zbardhur. Mirëpo, duke lexuar rastësisht në internet reagimet e një numri jo të vogël lexuesish, pas shkrimit të ish dipllomatit Genc Mlloja me titull "Një dëshmi lidhur me deklaratën e Kadaresë mbi Ramis Alinë" (www.shekulli.com.al/2009/11/10/nje-deshmi-lidhur-me-deklaraten-e-kadarese-mbi-ramiz-aline.html), sikur ndërrova mendim lidhur me trushpëlarjen e publikut shqiptar. Gjeta aty reagime që më bënë të mendoj se ka ende shqiptarë që nuk e hanë sapunin për djathë. Këto reagime më bënë të ulem të shoh inervistën e Kadaresë me Fevziun që ndodhet edhe ajo në internet dhe, duke e parë, mendova se ia vlen të shkruhet për këtë fenomen, gjithnjë e më të përhapur, ku shkrimtarë dhe gazetarë të njohur, siç është Kadareja dhe Fevziu, punojnë për ta shpërndërruar historinë e diktaturës apo thjeshtëzuar në klishe që i interesojnë forcimit të pushtetit të elitës që ata përfaqësojnë, me aq forcë saqë kanë krijuar klimën e një konformizmi e të një frike intelektuale për çdo mendim ndryshe. E them këtë sepse shumëçka nga ato që tha Kadareja në intervistën e tij, megjithë çmimin Asturias, ose për fat të keq të çmimit Asturias, janë shtrembërim i rëndë i së vërtetës. Dhe nuk e kam fjalën këtu për të vërteta thjesht kadarejane, por për të vërteta njohja e së cilave, ngulmoj, është e rëndësishme për brezin e sotëm dhe për brezin që do të vijë, kurse harresa e rrezikshme.
Botimet jashtë shtetit të komunizmit: Le të marrim psh. historinë që na tregon Kadareja lidhur me botimet e tij të para jashtë shtetit. Fevziu e pyet se si është e mundur që ai është botuar në vende që ishin armiqësore me Shqipërinë, "nuk ishte kjo një problem për ju?". (Ç'është e vërteta problemi fillon që me pyetjet, pasi Fevziu merr pozicionin sikur të mos jetë një gazetar që ka jetuar në Shqipëri, por sikur të vijë nga ndonjë vend i huaj, duke bërë kështu një operacion vetëshplarje trush që i imponon edhe publikut shpëlarje trush e kujtese. Të gjitha pyetjet, për fat të keq, ishin ashtu që gazetari sikur zhvishet nga dijet e tij dhe qëndrimet e tij për t'i krijuar mundësi Kadaresë të bëjë marketingun e historisë së vet si do vetë.) Kadareja përgjigjet: "Krijonte dhe ishte normale që të krijonte probleme, militantët e partisë thoshin: pse ne kemi një shkrimtar që edhe vetë e duam dhe e pranojmë, por na e do edhe borgjezia?", duke ne lënë të kutojmë se botimi i tij ishte një si çudi.
E vërteta është se këtu nuk kishte asnjë problem dhe asnjë çudi. Regjimi ishte i interesuar në mënyrë të veçantë që autorët e tij të lexoheshin jashtë shtetit. Ai paguante edhe një botim të veçantë për këtë: “Les Letters Albanaises", kryeredaktor i së cilës ka qenë vetë Kadareja. Regjimi ishte i interesuar për shumë arësye: por kryesisht për të paraqitur në dritë sa më të mirë Shqipërinë dhe sistemin, por edhe sepse ai pretendonte se do të udhëhiqte nesër revolucionin botëror. Edhe botimi i Kadaresë ishte në këtë kontekst. Kush ka lexuar librin e ish ambasadorit shqiptar në Francë në atë kohë, Javer Malo, do të mësojë atje për përpjekjet që ka bërë ky për botimin e Kadaresë atje, i cili u zgjodh, me vendim nga lart, sepse konsiderohej, për talentin e tij, si autori që mund të ishte më i lexueshmi në Perëndim. Le të mos harrojmë se atëhere Shqipëria mbahej si kampione e marksizëm leninizmit dhe nuk është rastësi që përkthyesit e Kadaresë në disa gjuhë të huaja, ndër ta edhe ai spanjoll, ishin marksistë leninistë. Po ashtu, kush do të kërkojë të shfletojë faqet e Dritës së asaj kohe, do të gjejë reçensat që janë botuar në shtypin francez duke iu referuar librave të Kadaresë, që flasin aq mirë për Shqipërinë socialiste. Dhe kjo sepse librat e Kadaresë, botuar në atë kohë, ishin konform me propagandën e regjimit. Gjenerali i ushtrisë së vdekur zhvillonte mitin e luftës nacional çlirimtare, armiqësinë me Perëndimin, armiqësinë me klerin si dhe dashurinë për një Shqipëri të simbolizuar me një personazh monstër ideologjik, si është plaka Nicë. Kurse libri i dytë, "Kështjella", i botuar në Francë me titullin "Daullet e shiut", siç e ka paraqitur edhe vetë Kadareja në atë kohë në një parathënie që e gjen edhe sot në botimin italisht, ishte i frymëzuar nga qëndresa e Shqipërisë socialiste ndaj imperializmit dhe soc-imperializmit. Këta dy libra shpejt i pasoi "Dimri i madh", libri më i shitur i tij në Francë, që na jep një interpretim krejtësisht konform me propagandën e Partisë për prishjen me Bashkimin Sovjetik dhe që nxjerr Enver Hoxhën si hero të nivelit botëror. Por pse i pëlqyen botuesit perëndimor, do të pyesë një lexues? I botoi sepse Perëndimi është i larmishëm ideologjikisht, sepse librat ishin interesant për të pasi flisnin për një botë të panjohur krejtësisht, por edhe sepse shteti shqiptare investoi goxha për botimin e tyre. Dua të them me këtë se fakti që librat botoheshin në Perëndim dhe pëlqeheshin nga një pjesë nuk do të thotë se ato ishin kundër regjimit, por se, përkundrazi, i shërbenin më së miri propagandës së tij dhe, pikërisht për këtë, autori gëzonte edhe privilegje edhe pak më shumë liri për zgjedhjen e temave të tij.
E vërteta e asaj kohe është se shkrimtarë si Kadare paguheshin si profesionistë, me rroga të nivelit të kuadrove të rëndësishëm, vetëm për të shkruar. Edhe përkthyesi Vrioni paguhej nga shteti shqiptar. Madje edhe një numër përkthyesit marksistë - leninistë jetonin në Shqipëri asaj kohe ku punonin si spikerë të Radio Tiranës në emër të shpërndarjes së valëve të revolucionit m-l në botë. Pra jemi larg asaj që pretendon shkrimtari të na e shesë si të vërtetë: se fakti i thjeshte që ai është/egziston (ai = shkrimtar dhe humanist i madh), pavarësisht diktaturës së egër brenda se cilës i është dashur të jetojë dhe të krijojë, tregon se kemi të bëjmë me një mrekulli, mrekullinë e letërsisë që është e pavarur, çka ishte, në esencë, edhe fjala e tij kur mori çmimin Asturias. Kjo është një gënjeshtër që nuk na le të kuptojmë dikaturën. Varësia nga pushteti në atë regjim totalitar ka qenë dërrmuese për lirinë dhe krijimtarinë e individit. Kadare ditët që mori çmimin deklaroi se "në asnjë rast letërsia letërsia dhe arti nuk e sulmojnë jetën reale, për ta dëmtuar, por përkundrazi, luftojnë që ta bëjnë më të bukur, më të jetueshme." Po ajo letërsi që ka glorifikuar diktatorët dhe diktaturën e që ka propaganduar urrejtje deri në thirrje për asgjësim fizik të "armikut të klasës", që është edhe letërsia e shumicës së veprave të Kadaresë së asaj kohe, si e ka ndihmuar jetën? Në fakt ka ndihmuar jetën e Kadaresë. Kush kërkon të merret sot me letërsi e di se çfarë lluksi është të paguhesh vetëm për të shkruar. Por është një lluks që, në diktaturë, ka pasur çmimin e vet për të cilin brezat që vijnë kanë nevojë të dinë. Kanë nevojë të dinë, mes të tjerash, edhe për të mos përqafuar modelin e një intelektuali që shfaqet edhe sot si shumë problematik në shoqërinë tonë: intelektuali që, për të pasur sukses, i duhet patjetër të bashkëpunojë me pushtetin, të paguhet e të shpërblehet nga pushteti, ndërkohë që roli i tij duhet të jetë pikërisht e kundërta.

Distancimi nga Alia: Le të dalim tek titulli i dytë i gazetave: "Nuk e kam shoqëruar Ramis Alinë në Rinas", ku shkrimtari distancohet nga ish presidenti komunist, (duke mohuar faktin, sipas Alisë i vërtetueshëm, se ai e ka përcjellë në Rinas kur ky u nis për në SHBA), çka simbolikisht është një distancim nga pushteti ku ka bërë pjesë.
Pa dyshim ikja e Kadaresë në Francë në atë kohë ishte një goditje për regjimin. Por, nëse kërkojmë të vërtetën e atij momenti, nuk mund ta paraqesim sikur Kadare të ishte kryetari i një partie opozitare. Ai ishte Zv. Kryetar i Frontit që kishte për kryetar Nexhmije Hoxhën. Dhe ikja e Kadaresë ishte një goditje pikërisht sepse vinte nga një njeri i regjimit duke dhënë kështu qartë sinjalin se anija po mbytej dhe kishte ardhur koha për ta braktisur. Sipas mendimit tim prapaskenat e ikjes së tij nuk na janë thënë të gjitha as nga Kadare as nga kush tjetër ka dijeni, por ajo që dimë me siguri është se Kadare bën pjesë ndër ata ish komunistë që, në atë kohë, dolën në kampin antikomunist, sikurse edhe Berisha e shumë të tjerë, ndryshe nga sivëllezër të tyre si psh Agolli, Nano, që mbetën në partinë e origjinës duke u rrekur ta tranformojnë atë. Sipas gjykimit im edhe sot e kësaj dite shoqëria nuk ka reflektuar sa dhe si duhet mbi aktin e kësaj pjese të inteligjencies ish komuniste që flaku tej çdo përgjegjësi për të kaluarën duke ia veshur atë sivëllezërve të vet dhe duke u bërë vetë antikomuniste. Pyetjet që mund të shtrohen, në kontekstin e këtij reflektimi, janë të shumta: sa ishte ky një akt që tregonte dije dhe vetëdije më të lartë, sa ishte një akt karrierist ndrrimi xhakete, sa ishte i moralshëm dhe sa i pamoralshëm, a ndryshonin këta nga sivëllezërit e tyre dhe ku e në çfarë ndryshonin etj. Duke e analizuar këtë në dritën e çfarë ka ndodhur në këta 20 vjet pseodopluralizëm, pa ua mohuar edhe meritat, mendoj se përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve janë të mbushura me ekuivoke. Por kjo është një temë tjetër. Le të kthehemi tek ajo kohë.
Sigurisht raporti i inteligjencies komuniste me regjimin ka qenë një raport që ka pasur ambiguitetet e veta. Sipas mendimit tim kishte kohë që, pas viteve të para, nuk ekzistonin më shkrimtarë e artistë që ndjenin e mendonin sinqerisht sipas idealeve komuniste apo që besonin në madhështinë e Enver Hoxhës. Madje vlen të bëhet një studim se cilët kanë qenë të fundit që kanë besuar vërtet jo vetëm ndër shkrimarët dhe artisët, por edhe ndër kuadrot e Luftës. Sipas meje, pas gjithë çfarë kishte ndodhur, në vitet e fundit të regjimit, zor se kishin mbetur shumë besimtarë të fesë së fillimit. Më shumë ka ndodhur që "gënjështra e madhe", siç e quan Solzhenicini, jetohej nga shumica e tyre si diçka e bërë zakon. Një pjesë e kultivonin gënjeshtrën sepse kështu ruanin pushtetin, një pjesë të shtrënguar të gënjenin vazhdimisht përfundonin në besim, të tjerë nga frika për të qasur mendime kundërshtare i ndrydhnin ato edhe kur këto u vinin, të tjerë bënin një jetë të dyfishtë. Besoj se më të vetëdijshmit se kishim të bënim me një gënjeshtër, një gënjeshtër të imponuar; një gënjeshtër të cilës i shërbehej për të mbijetuar, për të bërë karrierë, për të dalë jashtë shtetit etj. ishin ata të jetës së dyfishtë, intelektualët si Kadareja. Edhe dashuria për Enver Hoxhën, e shprehur dhe e stërshprehur edhe nga Kadareja, me art dfhe talent madje, ka qenë e shtirë, një gjë që duhej bërë se përndryshe humbje privilegjet. Por ama fakti është që, po të shfletosh materiale, deri edhe të vitit 1989, pasi kishte rënë muri i Berlinit, do të gjesh një konformizëm të frikshëm me gënjeshtrën e madhe, që sot mund të duket skandaloz edhe për komunistë të thekur e jo më kur e zbulon tek Kadare. Në konferencën letrare në kuadrin e 45-vjetorit të "çlirimit të Atdheut" dhe "fitores së revolucionit popullor", pra në kohën kur Kadare i tha Fevziut se i ka shkruar Bushit letër kundër regjimit, ai deklaronte: "Ka gati gjysmë shekulli që populli shqiptar jeton e ushqehet me letërsinë socialiste shqiptare. Nevoja e tij për të është e madhe, dashuria e tij për të është prekëse. Kjo nevojë e kjo dashuri e nënvizojnë edhe më shumë përgjegjësinë tonë përpara popullit që i përkasim, përpara kohës që jetojmë, përpara socializmit për të cilin kemi dyzetepesë vjet që punojmë e luftojmë papushim." "Shkrimtarët e sotëm shqiptarë e ndjejnë veten mirë e të nderuar në këtë shoqëri dhe nuk kërkojnë një tjetër klub."Mendoj se fshehja e kompleksitetit të së vërtetës historike të asaj kohe na bën dëm. Ajo e vërtetë na duhet jo thjesht për të njohur e për të kuptuar një regjim që i impononte dyftyrësi inteligjencies shqiptare, konformizmin e saj me gënjeshtrat e pushtetit të djeshëm, vënien në shërbim të kësaj gënjeshtre gjithashtu, por edhe për të kuptar se ku e kanë origjinën dyftyrësia, konformizmi me gënjeshtrat e të sotmes e shërbimi ndaj tyre gjithashtu. Dhe kjo jo vetëm pse kemi të bëjmë me të njëjtët protagonistë, por edhe pse kjo kulturë e dyftyrësisë po i jepet, si trashëgim i vyer, brezit më të ri.
Kritikë çmimit: Kadare, meqënëse ka marrë çmimin Asturias, i duket se i është shtuar pushteti dhe jep kështu të drejtë vetes të përçmojë publikisht një nga kritikët e tij, Rexhep Qosjen, duke e quajtur një ‘mësues katundi’. Në fakt një numër shkrimtarësh, që, sipas meje, jo rastësisht vijnë nga e njëjta origjinë, u ngritën kundër idesë së Qoses se letërsia shqipe është larg asaj evropiane dhe binte në sy se ishin çmimet e Kadaresë, më shumë sesa përmbajtja e veprës së tij, arma më e fortë për të godituar kritikat e Qoses. Kështu Qosja u bë nga media jonë mësues katundi me lehtësinë më të madhe, duke na treguar se, kur një shoqëri nuk ka sistem vlerash të vetin, por gjithshka e mat me çmime dhe vlerësime të të tjerëve, atëhere ajo meriton vërtet të quhet, ashtu siç e ka quajtur Qosja, "provinciale". Por më e rënda është se ky provincializëm ka bërë që çmimet e Kadaresë t'i japin atij një autoritet të padiskutueshëm prej mendimtari, ndërkohë që këtyre 20 vjetëve, kur s'ka më as peshën e ideologjisë së regjmit, apo ndoshta pikërisht prej trashëgimisë së saj, ai po tregon një varfëri dhe mosnjohje të tillë të mendimit bashkëkohor evropian që nuk e gjen as në intelektualët e zakonshëm evropianë. Dhe më e keqja është se, mu për shkak të autoritetit të Kadaresë, kjo ndikon shumë në moszhvillimin e një tjetër kulture në Shqipëri. Kam parasysh psh. qëndrimet e tij në debatet mbi çështjet e historisë apo të identitetit ku mendimin i tij është pak ta quash regresist.
E këtu mendoj se vlen të thuhet diçka kritike edhe lidhur me këta çmime që jepen nga ndërkombëtarët, sepse është vetë Kadare që na shtyn t'i vemë ata në dyshim.
Heroi më i shquar i letërsisë spanjolle, Don Kishoti, në një nga urtësitë e tij të marrëzisë, i thotë të riut don Lorenco që shkruan poezi: "nëse gatiteni ashtu për ndonjë garë letrare, le të përpiqet zotëria juaj të zerë vendin e dytë, se i pari jepet pas sërës që zë dhe mikut që ka akshi a filani…". Është ky një mësim që shekujt nuk e kanë përgënjeshtrtuar, por veç vërtetuar, shpesh në një shkallë të tilla saqë kjo e ka bërë Longanezin të thotë: "Çmimet jo vetëm duhet t'i refuzosh, por as duhet t'i meritosh" a thua se, kur të jepet një çmim, të kesh bërë ndonjë punë të mbrapshtë. Dhe ky paradoks e ka një kuptim: çmimet jo rrallë janë rezultat politikash institucionale pushteti, lobingjesh të caktuara për interesa të caktuara, manipulimesh mediatike për shkaqe tregu dhe jo gjithmonë tregues vlerash të vërteta.
Me këtë nuk dua të akuzoj vetëm spanjollët e zhurisë që, përderisa kanë venë në motivimin e çmimit se vepra e Kadaresë është antitotalitare, për mua as janë munduar të njohin kuptimin e korpusit qendror të asaj vepre në kontekstin shqiptar. E kam me shqiptarët, që e dinë mirë se Kadare ka qenë një shkrimtar i regjimit të djeshëm. Me ata që e dinë mirë se një libër si Pallati i Ëndrrave, i cili, gjithsesi, subjektin e ka me Perandorinë otomane, nuk mund të mjaftojë për të kundërballacuar një korpus të tërë në prozë e poezi veprash në shërbim të ideologjisë nacional komuniste të Hoxhës e as të na bëjë ta quajmë librin më disident të komunizmit në botë, siç e quajti Berisha, së fundi, në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë nga ambasada spanjolle.
Çmimi i dhënë nga spanjollët, si shumë çmime të tjera, është edhe një çmim që i jepet Shqipërisë, kjo dihet, bën pjesë në politikat e shpërndarjes së çmimeve. Dhe këtu ngrihet pyetja; cilës Shqipëri i jepet? Përgjigjen e kishim mu në tryezën e asaj ceremonie. Krahas Kadaresë dhe Ambasadorit spanjoll në atë tryezë qëndronte kryeministri i vendit, kryetari i një partie të ashtuquajtur antikomuniste i cili ka qenë vetë, për çerek shekulli, sekretar partie, por që, si Kadareja, flet edhe ai ditë e natë sikur tërë jetën të ketë qenë kundërshtar i atij regjimi. Për mua, në këtë kontekst, çmimi i jepet pikërisht Shqipërisë së Kadaresë e Berishës, një Shqipërie që nuk e ka filluar ende katarsisin e së kaluarës, por që e jeton këtë periudhë si vazhdimësi të pushtetit të djeshëm. Dikush do të më thotë përsëri: ç'punë ka zhuria spanjolle? Ndaj kësaj vërejtjeje do të përgjigjem me Qosen kur thotë: "Sikur shoqëria shqiptare të mos ishte e prapambetur siç është, sikur shoqëria shqiptare të mos ishte në krizë të rëndë shpirtërore dhe morale siç është, inteligjencia shqiptare jo vetëm se nuk do të rehabilitonte Ismail Kadarenë dhe ismailkadarenjtë e tjerë, por do të mënjanonte njëherë e përgjithmonë modelin e mendimit dhe të sjelljes së tij të pamoralshme intelektuale." Unë nuk di të ketë në historinë e letërsisë moderne shkrimtar të vlerësuar ndërkombëtarisht si ai që të ketë manipuluar të shkuarën dhe veprën e tij si ai, me synim mashtrimin e të huajve. Mirëpo është e gabuar të thuash se kjo është thjesht punë e Kadaresë, apo strategji e botuesit frëng, madje as thjesht punë njerëzish të frustruar province për të cilët më shumë se sa e vërteta ka rëndësi të njihen nga metropoli. Puna është se Kadare është përfaqësuesi më i shquar i kësaj inteligjencie që trashëgoi pushtetin komunist e që, nëpërmjet asaj që Qosja e quan "riabilitim i Kadaresë", kërkon të riabilitojë vetveten në emër të pushteti të sotëm, por edhe në emër të historisë. Është kjo inteligjencie që një vjershë që bën thirrje për terror stalinist kundër armikut të klasës, si "Pashallarët kuq", ia ka shitur ndërkombëtarëve si vjershë antikomuniste, është po ajo që ka shkruar libra të porositur për të provuar se Kadare është persekutuar nga regjimi. Është po kjo inteligjencie që lobon për çmimet e Kadarenë ku dhe si mundet. Së fundi deri Kryetari i Shtetit, Bamir Topi, që ka dekoruar prokurorët më të zinj të regjimit, ndonëse lider i një partie të ashtuquajtur antikomuniste, ka lobuar tek Nobeli për Kadarenë. Dua të them, pra, se sikur shoqëria shqiptare ta kishte analizuar me ndershmëri e vërtetësi të kaluarën e saj dhe, bashkë me të, edhe çfarë ka shkruar Kadare, në kuadrin e një katarsisi aq të nevojshëm, ajo do ta dënonte dhe jo vlerësonte e lobonte një vepër të tillë, e kjo do të njihej nga zhuritë ndërkombëtare.
Dikush që do t'i lexojë këtë rreshta mund të më thotë me cinizëm: ja pse thuhet se kush kontrollon historinë kontrollon edhe pushtetit e do të më kujtojë se historinë e shkruajnë gjithnjë fitimtarët. Do t'i përgjigjesha se kjo thënie i takon një kohe jo fort demokratike; se sot në Shqipëri, megjithatë, ka aq demokraci, sa të ketë mundësi të shkruhet edhe një histori ndryshe nga ajo e fitimtarëve dhe se, herët ose vonë, nevoja për të ndryshuar mjerimin e sotëm kulturor e shpirtëror do t'i çojë shqiptarët edhe në nevojën për të riparë historinë e shkruar nga këta fitimtarë.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου