Κυριακή, 5 Απριλίου 2015

Fatos Lubonja: Rezistenca e kujtesës

Fatos Lubonja: Rezistenca e kujtesës
 

Duke lexuar mbi regjimet autoritarë dhe ata totalitarë më ka mbetur në mendje ideja e një sociopsikologu të njohur, sipas të cilit diferenca midis tyre qëndron në atë se regjimi autoritar nuk do t’ia dijë edhe aq nëse njerëzit besojnë vërtet në ato që thotë pushteti, mjafton që këta t’i binden, kurse regjimi totalitar kërkon që njerëzit jo vetëm t’i binden, por edhe t’i besojnë ato që thotë ai; pra kërkon edhe nënshtrimin në mendje dhe në shpirt të njeriut. Kush nuk e bën këtë konsiderohet armik po aq sa ai që nuk bindet.

Nëse do t’i referohemi historisë sonë si ilustrim mund të sillja dallimin midis kohës së Mbretit Zog dhe kohës së komunizmit. Nëse mbreti i kërkonte asokohe shkrimtarit Petro Marko thjesht një deklaratë se nuk ishte komunist që të mund të botonte bashkë me Branko Merxhanin revistën “Përpjekja Shqiptare” – e ky nuk e bëri, pa mundur të jetë bashkëbotues, por pa pësuar gjë, – në kohën e Enver Hoxhës një deklaratë e tillë as imagjinohej se mund të kërkohej pasi presupozohej automatikisht se shkrimtari kishte përqafuar ideologjinë e pushtetit dhe konsiderohej armik dhe dënohej minimumi me burg, nëse refuzonte të deklarohej i tillë.

Më kaloi nëpër mend kjo ide duke lexuar librin e Fabian Katit “Formësimi i kujtesës kolektive” mbi ngjarjet tragjike në Dukagjin, Malësinë e Madhe dhe Postribë në vitet 1945 – 1946. Po pse ky asosacion idesh? Sepse një nga gjërat që ma nxit pareshtur kuriozitetin teksa rrekem të kuptoj njeriun e rritur në komunizëm, (vetveten më së pari), është zhbirilimi i atij procesi që synon ta manipulojë njeriun deri në thellat e shpirtit, aq sa të komandojë jo vetëm veprimet, por edhe ndjenjat e mendimet e tij. “Nuk ka asgjë më të tmerrshme dhe më të mistershme sesa mnemoteknika” – thotë Niçja për teknikën e incizimit, sipas tij “me flakë”, në kujtesën e njeriut të narrativës që dikton pushteti. Çfarë teknikash të kombinuara përdoren gjatë këtij procesi? Çfarë ndodh tek njeriu? A mund t’i rezistohet? Si mund t’i rezistohet? Sa mund t’i rezistohet?

[…]

Narrativa e regjimit totalitar komunist fillon me historinë e Luftës Nacionalçlirimtare. Sipas saj heronjtë komunistë çliruan vendin nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, por ky ishte vetëm fillimi i një misioni shumë më të madh. Metaforikisht ata kishin për detyrë të udhëhiqnin karvanin e popullit shqiptar, bashkë me malet e tyre, drejt tokës së premtuar të komunizmit, që do të thoshte të transformonin tokën ku jetonin shqiptarët, sipas tyre nga një ferr në një parajsë. Ishte rruga që ata e kishin gjetur dhe që ata e dinin se nëpër cilat shtigje do të kalonte. Si një pjesë e kësaj lufte janë paraqitur edhe ngjarjet e përmendura në këtë libër, si një eliminim i mbeturinave të armiqve që kërkonin të pengonin ecjen drejt kësaj rruge. Në narrativën komuniste heronjtë nuk kishin fytyrë njerëzore. Ata të së mirës merrnin shpesh pamjen e dëshmorëve të kësaj lufte dhe paraqiteshin me tipare mbinjerëzore që duheshin adhuruar. Kurse heronjtë e së keqes futeshin të gjithë në disa fjalë të tmerrshme, të zeza, ndër të cilat më të përdorurat kanë qenë “bashkëpunëtor me armikun”, “reaksionar”, “armik i klasës”. Ata nuk kishin as jetë të veçantë përveç armiqësisë, as etër, as nëna, as vëllezër e motra, as fëmijë. Në botën manikeiste të narrativës ata ishin përfaqësuesit e së keqes dhe mendimi për ta duhet të shoqërohej me ndjenja negative, si frika, urrejtja, përçmimi. Sikur të ndodhte që ata të ngriheshin nga varri ata duheshin rivrarë dhe rivarrosur përsëri.

“Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj/ Nëse s’do që nesër skuadër e pushkatimit/

Të të vejë në mur/ tek Bulevardi i Madh”, – shkruanin poetët e narrativës asokohe.

Sepse narrativa nuk ndërtohej vetëm me rrëfenjat entuziazmuese e mbresëlënëse të bëmave të heronjve. Ajo kishte nevojë edhe për “flakë”, siç thotë Niçja. Pse flakë? Sepse, që të incizohej pazhdukshmërisht, narrativa kishte nevojë edhe të shkatërronte përfundimisht. E për këtë ajo kishte nevojë edhe për një instrument tjetër të tmerrshëm: frikën se, nëse dilje jashtë saj e besoje apo tregoje ndonjë narrativë tjetër, do të ndëshkoheshe si armik dhe të priste burgu, ose edhe vdekja. Frika e terrori ishin flaka që digjte çdo qelizë nga ato që mund të kultivonin në mendjen dhe shpirtin e njeriut mundësinë e një besimi tjetër, qelizat e dyshimit apo të mendimit kritik e të pavarur.

***

Duke lexuar këtë libër nuk mund të mos shtrosh pyetjen: Sa dhe si i kanë rezistuar këtij procesi kujtimet “e ndaluara” me të cilat takohemi këtu? Sepse në ato kujtime gjejmë pikërisht narrativën e atyre që kanë qenë në krahun e humbësve, jo të fitimtarëve. Por personat që tregojnë nuk janë ata vetë. Personazhet që tregojnë kanë qenë fëmijë në kohën e ngjarjeve. Janë kryesisht bij ose familjarë të protagonistëve të atyre ngjarjeve, personazhet e shumë prej të cilave kanë përfunduar të pushkatuar nëpër brigje lumenjsh, me gjyq dhe pa gjyq e nuk u dihen as varret, ose kanë vdekur gjatë dekadave në vazhdim, një pjesë pa dalë dot nga burgjet. Këta fëmijë e kanë kaluar jetën e tyre nën flakën e narrativës komuniste, terrorin verbal dhe fizik të saj për dekada deri në vitin 1991. Duke pasur parasysh këtë nuk mund të mos imagjinosh se ruajtja e këtyre kujtimeve është një rezistencë e kujtesës. Edhe rrugët e kësaj rezistence duhen studiuar. Ndërkohë që narrativa komuniste prodhonte me zhurmë çdo vit tonelata me letërsi të shkruar, filma, muzikë, emisione radiofonike, festa përkujtimore, përvjetorë çlirimi, përvjetorë të rënësh, konferenca studimore, narrativa e të humburve mezi mbijetonte nëpër dhoma të varfra familjesh të persekutuara, shpesh të internuara, apo nëpër qeli burgjesh. Ajo qarkullonte fshehurazi dhe në heshtje nën kërcënimin e nenit të agjitacionit e të propagandës që parashikonte deri në 10 vjet me burg për ata që tregonin rrëfenja apo copëza rrëfenjash si këto që lexojmë në këtë libër.

***

Duke lexuar dhe dëgjuar dëshmitë e mbledhura nga Fabian Kati të duket sikur autori ka shkuar në Veri dhe ka mundur të gjejë vetëm ca fragmente mbetjesh arkeologjike të një ngrehine së cilës i janë shembur e rrënuar shumë pjesë. Na shfaqen ca copëra muresh këtej e ca gurë e tulla andej, por shumica ka humbur, ose e ka mbuluar bari e dheu. Mosha e rrëfimtarëve që ai ka gjetur është ajo e pleqërisë. Ndonjëri është edhe mbi të 90-at. Shumë nga qelizat e trurit të tyre, ku ruhet kujtesa, me moshën ndoshta edhe kanë vdekur dhe çdo qelizë e vdekur mund ta imagjinosh si një tullë të kësaj ndërtese që është rrëzuar dhe thërrmuar. Vdekja e çdonjërës prej tyre ka qenë si shembja e një ndërtese të tërë. Synimi i regjimit ky ka qenë, në fakt: që kjo kujtesë të zhdukej përfundimisht. Dhe, sikur të kishte zgjatur edhe disa dekada, ndoshta kjo do të ndodhte. Por edhe kështu duket sikur jemi duke ecur nëpër rrënoja që, së bashku me legjendën që bartin, të ngjallin edhe një ndjenjë të thellë padrejtësie dhe trishtimi. Trishtimin e së pariparueshmes.

Edhe me të padurueshme e bëjnë këtë ndjenjë trishtimi mendimi se janë dashur të kalojnë njëzet e kusur vjet nga rënia e komunizmit që dikush të kujtohej të mblidhte kujtimet orale të këtyre njerëzve. Nuk dua të zgjatem këtu me një temë që e kam trajtuar tjetërkund: faktorët se pse nuk ka ndodhur kjo ndërkohë që këta njëzet vjet duhet të ishin vitet e rishkrimit të historiografisë dhe memuaristikës së shkruar nga komunizmi. Kujtoj me këtë rast se jemi ndoshta i vetmi vend në botën ish-komuniste që nuk ka ende një libër të vetëm të historianëve shqiptarë që të trajtojë historinë e komunizmit. Shkurt do të thosha se një nga faktorët kryesorë është fakti se elitat që morën, ose më saktë trashëguan pushtetin pas rënies së komunizmit, duke përfshirë edhe historianët, jo vetëm janë rritur me narrativën komuniste, por janë më të shumtët edhe krijuesit e saj. Dhe duke qenë se legjitimimi i pushteti u ka ardhur nga emri që kanë bërë nëpërmjet punës për atë narrativë, nuk u ka interesuar ta hedhin atë poshtë, por vetëm ta korrektojnë aty-këtu, duke e trajtuar terrorin e ushtruar nga ai regjim thjesht si një apendiks të asaj historie dhe jo si shtyllë qendrore të atij pushteti. Duke lexuar këtë libër për shembull del se Veriu më shumë sesa u çlirua nga pushtuesi, – siç trumbetonte narrativa e fitimtarit, u pushtua nga komunistët me një operacion dhune dhe gjaku, shumë gjaku, por që ka hasur edhe rezistencë. Për këtë të vërtetë nuk duhej folur gjatë komunizmit, aq më pak për rezistencën e njerëzve në Veri, madje edhe rezistenca e kujtimit të rezistencës së tyre duhej zhdukur. Kjo përmbysje e historisë dhe identifikimi i përgjegjësve të atyre krimeve dhe pastaj i shkruesve të narrativës së gënjeshtërt nuk i ka interesuar kësaj elite. Po ashtu, pjesa e kësaj elite që rrëmbeu flamurin e antikomunizmit, duke qenë e edukuar me metodat e atij pushteti, e manipuloi për interesa politike me të njëjtat metoda të narrativës komuniste persekutimin e popullit shqiptar duke tjetërsuar, kësisoj, thelbin e tij. Hallet e pafundme që u krijuan nga politikat e mbrapshta gjatë këtyre njëzet vjetëve, si dhe triumfi i kulturës konsumiste që e ka reduktuar njeriun thjesht në shijues të së sotmes pa një kujtesë të së shkuarës dhe pa një projekt të së ardhmes, kanë plotësuar procesin e harrimit të këtyre ngjarjeve kaq tragjike.

Megjithatë duke lexuar librin“Formësimi i kujtesës kolektive” të vjen ndërmend edhe një fjalë e urtë që thotë: “E vërteta mund të hollohet, por nuk këputet.” Këto dëshmi hedhin dritë mbi një të vërtetë që është harruar deri atje ku s’mban më, por që nuk ka humbur krejtësisht. Sigurisht, nëpërmjet njohjes së këtyre historive ne nuk e zhbëjmë dot padrejtësinë ndaj viktimave. Por njohja e këtyre të vërtetave është e rëndësishme për të vendosur drejtësi në kujtesën tonë të deformuar nga narrativa komuniste, sepse janë të shumtë ata që nuk u japin të drejtë atyre viktimave edhe sot në kujtesën e tyre e që këtë padrejtësi ua transmetojnë edhe trashëgimtarëve të tyre. E kjo është e rëndësishme, shumë e rëndësishme si për të vdekurit, të cilëve u japim drejtësinë e mohuar për gjysmë shekulli, edhe për të gjallët.

Po ende, njohja e këtyre të vërtetave është, ndoshta, edhe më e rëndësishme për ata, veçanërisht të rinj, që janë indiferentë ndaj tyre, madje që nuk kanë asnjë kujtesë. Sepse është e njohur thënia se “një histori që harrohet është e destinuar të përsëritet”. Duke lexuar librin ne kemi një ndjenjë të thellë empatie për ata njerëz që janë marrë dhe pushkatuar pa gjyq, për të terrorizuar të tjerët. Na vjen vetvetiu thirrja e brendshme se kjo nuk duhej të ndodhte. Se kjo është një padrejtësi. Është një imunitet i rëndësishëm ky që fitojmë ndaj të keqes. Çdo padrejtësi që zbulojmë dhe denoncojmë na mbron edhe ne vetë nga padrejtësitë që mund të bëjmë në jetë, sepse vazhdojmë të jetojmë në një botë ku shohim përditë se sa lehtë njeriu i paditur mund të kthehet në xhelat ndaj tjetrit.

 

*Parathënia e librit të Fabian Katit “Formësimi i kujtesës kolektive” mbi ngjarjet tragjike në Dukagjin, Malësinë e Madhe dhe Postribë në vitet 1945 – 1946. (Gazeta Mapo, 21 shkurt 2015)

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου